Ditari i një tifozi

Petrit Osmani – Ora shënon 15.00 e drekës, tashmë shumë tifozë shqiptarë kanë arritur në Shkodër pasi sonte në darkë luan Kombëtarja e futbollit. Moti është me shi, por atmosfera është shumë e ngrohtë tek takon e sheh shumë shqiptarë nga të gjitha viset që janë mbledhur për një qëllim, për 90 minuta t’i japin kurajo e zemër ekipit kombëtar të tyre. Kur i shesh gjithë ata tek tunden rrugëve të Shkodrës, të mahnitë fakti se sa shumë e duan ekipin kombëtar. Shqipëria është nga ato ekipe ku sukseset janë të numruara lehtë, pasi kanë qenë të rralla, por për këta djemë e vajza të mbledhur rreth një emri “Tifozat Kuq e Zi”, rezultatet pozitive apo negative nuk është se kanë ndikuar në përkrahjen ekipit kombëtar ose jo, pasi për 13 vjet rresht ata kanë qenë të përhershëm aty.

Më duket pak naïve, mbase edhe e pakuptimtë që nisja për të hyrë në stadium fillon nga ora 16.30, anipse stadiumi është vetëm 300 metra largë, edhepse ndeshja nis në ora 20.45. Nuk je vetëm që merr atë rrugë, para dhe pas teje janë me mijëra të tjerë. Sapo fillon të hedhësh hapat e parë drejt stadiumit, dëgjohet një zhurmë nga mrapa, janë dy makina policie të përcjellë bashkë me 4 motorista që futen mu në mes të turmës. Gjatë gjithë kohës sa kalojnë kolonën e turmës për së gjati shajnë e fyejnë tifozët me fjalët më të rënda, duke kërcënuar herë pas here edhe se do t’i shtypin me makinë.

Pasi kalojnë ata, turma e tifozëve të ndarë në dysh ri-bashkohet përsëri, pas 50 metrave vjen kordoni policor, presim në radhë nuk na lejojnë të kalojmë asnjë, kolona e tifozëve fillon ngadalë të kaloj kontrollin e edhe të lëviz. Kur mendon se pritja mori fund, befas dëgjon një polic nga mrapa tek thotë “mjaft, mos lejo asnjë”. Tifozët acarohen nga ky urdhër i pakuptimtë. Tashmë akrepat e orës kanë kaluar 5 pasdite, dhe pas disa “time-out”-ave policor, dikur rreth orës 6 kalojmë kordonin. Ma hoqën shishen me ujë dhe më shtynë fortë drejt pjesës tjetër. Ndalesh për një çast, merr frymë thellë edhe gëzohesh që po ec lirshëm, kur para teje shfaqet një grumbull i madh njërëzish të mbledhur rreth një porte. Kanë mbetur diçka më shumë se 2 orë deri të fillimi i ndeshjes, dhe me ritmet e kontrollit e të hyrjes, sa kalon koha të venitet shpresa se mund ta shohësh lojën nga fillimi. Grumbulli i njerëzve është tejet i madh, janë tre tribuna që do të futen përmes një porte. Grumbulli është i rrethuar me policë të shumtë që shpesh nxitnin provokime dhe na shtynin, sa pritja bëhej shumë e mundimshme. Për 2 orë rresht lëviza 3 metra, këtë pritje e rëndonte edhe më shumë një shi i imët që po binte gjithë kohës dhe dikur rreth orës 8 pas shumë mundimeve dhe lodhjeve deri ne dehidrim e gjeta vetën gati te pika e kontrollit para portës. E pash orën dhe po mendoja se a ka mundësi që edhe 30 minuta kanë mbetur për të nisur ndeshja kur isha nisur 4 orë më herë, një bryll “i gurtë” nga një person me uniformë polici më goditi në gjoks, sa për një çast më ndaloj frymëmarrjen. Sa për kërkimfalje as që bëhet fjalë, tentova të marrë shpjegim e marrë “Ti do të futesh brenda apo si e ke hallin?, ti se kupton se unë mund të të lë jashtë”.

E ul kokën dhe vazhdoj të pres, derisa dëgjoj disa djemë më një banderolë para meje tek tentojnë me e fut brenda, por nuk lejohen. E kemi lejen e federatës thonë ata, jemi rënë dakord edhe me shefin tuaj, papritmas një zë i fortë burri shpërthen ;“Edhe Edi Rama nëse të ka dhënë leje nuk do e fusësh dot, pasi atë punë e vendos unë”. Më në fund radha ime, hyj në “kthetrat” e policisë teksa shohë përpara toka është e shtruar me monedha metalike, e fus dorën në xhep i hedh ato që kisha. Tani heq këpucët, vjen një urdhër tjetër, i bindem urdhërit dhe kur thashë me vete më në fund mbaroj ky makth, pak para portës për ta futur biletën në aparatin elektronik, prapë një dorë e fortë më tërheqë për krahrori; kjo bluzë nuk lejohet, tha!! Kisha të veshur një bluzë me fytyrën e Çerçiz Topullit. I them se s’kam tjetër, si do rri gjithë ndeshjen, ështe edhe kohë me shi. Ajo punë s’më intereson mua, këtë heqe po deshe me u futë, ma kthen. E hoqa ma mori e hodhi në tokë bashkë më bluza të tjera, me Ismail Qemajlin, Isa Boletinin dhe figura të tjera kombëtare, që nuk arrita t’i dalloja.

Më në fund arrij te porta, një çun i ri që ma kërkon biletën dhe që të urdhëron të futesh fillimisht pastaj të rikthehesh me marrë përsëri biletën. Posa u futa në oborr të stadiumit e shohë se ndeshja niste për 5 minuta. Në dyqanet e stadiumit shkoj të marrë një ujë, e paguaj dhe si për ironi kusurin ma kthen në monedha të metalta!, po po, nga ato që policia nuk mi kishte lejuar në stadium, sa për çmimin e ujit është histori tjetër, nja trefish a katër më shumë sesa çmimi i tregut.

Nisem shkallëve, edhe shkoj tek tribuna ku kisha blerë bileten, por prapë kordona policie që më ndalonin qarkullimin deri te tribuna ku unë kisha blerë biletë. Nuk ju interesonte as tribuna e as ulësja që u’a spjegoja, ata më kërcënonin se nëse do të qëndroja brenda do qëndroja aty ku ata duan, ndryshe do më nxirrnin jashtë. Përfundimisht, i lagur, i torturuar psikologjikisht e fizikisht dhe i thyer moralisht, s’kisha as fuqi e as motiv për vete, e lëre më që t’i ndihmoja lojtarët në fushë, për ti motivuar ose duartrokitur. U ankova, e kërkova të drejtën, thirra fortë, shkruajta për këtë dhunë, por askush nuk më dëgjoj, prandaj vendosa, jo bojkot Kombëtares por bojkot këtij sistemi të kalbur që po na nëpërkëmbë, që po na terrorizon, që po na shtyp e po na dhunon pavarësisht që më shumë se gjysmën e Europës e vizituam dhe vetëm fjalë të mira e elozhe na thurën. Asnjëherë asnjë incident , asnjëherë asnjë e keqe nuk ka ardhur nga tifozët shqiptarë. Ah po…e vetmja “e keqe” ishte kur një tifoz shqiptar lëshoi dronin në Beograd, dhe për pasojë e atij droni “ja pamë sherrin” u kualifikuam në kampionat europian.

Ndryshe, bojkoti është e vetmja zgjidhje që ka mbetur, pasi historira të tilla ka secili tifoz i Kombëtares, dhe këto historira nuk janë vetëm në ndeshjet e ashtuquajtura “specifike”, këto rregulla të pa-rregullta janë konstante sa herë luan Kombëtarja.

You must be logged in to post a comment Login