De Biazi: Rinovimi? Pres një telefonatë nga Duka

de-biasiaSport – Xhani De Biazi e ka konfirmuar faktin se kishte pritur një telefonatë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas ndeshjes së 7 qershorit me Norvegjinë.

Në një intervistë fotografike dhe në një version disi më ndryshe nga herët e tjera, në studion e “Jamais Vu” të gazetarit Mustafa Nano në “Ora News”, tekniku ka treguar edhe anën tjetër të Xhani De Biazit. Ai ka folur jo vetëm për futbollin, por edhe për Tiranën dhe Shqipërinë në përgjithësi, duke dhënë një ide sesi ai e njeh tashmë këtë vend.

Në Shqipëri po jo vetëm është krijuar ideja se futbolli është i shitur në baste, është kjo një legjendë urbane apo ka të vërteta në të?
Po, ka edhe të vërteta në të, kjo për shkak edhe të skandalit të basteve që shpërtheu para pak kohësh thuajse në gjithë Europën. Kjo puna e basteve është bërë si sëmundje. Njerëzit duan të pasurohen shpejt dhe pa mund, ose ata që janë të pasur, duan të pasurohen edhe më shumë. Nuk ka gjë më të keqe për një lojtar sesa kur tradhton në fushë shokët e vet dhe tifozët.

Ju jeni në gjendje të thoni sonte se në përgjithësi futbolli është një lojë e pastër?
Po, dua ta besoj se është kështu dhe ia ushqej vetes përditë këtë gjë. Unë jam për atë futbollin e rrugës, që e nis që fëmijë me atë pasion dhe dëshirë. Pastaj për dikë bëhet profesion, por që nuk duhet të humbasë parimin mbi të cilin ekziston futbolli.

Kur ju kemi pyetur për Kombëtaren keni thënë që iu ka surprizuar…
Sigurisht, pasi është e tillë për një ekip që është ndërtuar në vitin e fundit me lojtarë nga e gjithë Europa dhe kanë krijuar një lloj fryme brenda dhomave të zhveshjes për t’u përshëndetur. Ata e ndjejnë thellë fanellën dhe e dinë se duhet të japin gjithçka kur zbresin në fushë.

Për t’u ndalur pak këtu, a thua se bëjmë gabim që ëndërrojmë Brazilin?
Të ëndërrosh nuk është e ndaluar, madje të bën mirë, të paktën deri në atë moment kur zgjohesh dhe shikon ku je. Gjithsesi, ne po bëjmë një punë të mirë të ndershme dhe jemi të vetëdijshëm se e kemi nisur nga një shkallë e ulët dhe tani po ngjitemi me dëshirën dhe ambicien për të shkuar sa më lart. Por futbolli është edhe një sport situatash: mjafton një shtyllë, një penallti e gabuar, që të penalizohesh jo thjesht për një ndeshje.

Dakord, por me ecurinë e mirë që Kombëtarja ka bërë, duket se ju ka vënë edhe juve në një pozicion jo fort komod, pasi tani njerëzit kërkojnë gjithnjë e më shumë…
Kjo është normale, por e thashë se ne duhet të punojmë mirë sot, të marrim maksimumin dhe, nëse nuk arrijmë të shkojmë në Botëror, të nxjerrim mësime mbi atë çka nuk funksionoi. Gjithsesi, unë mendoj se kjo skuadër i ka “letrat në rregull” për të pretenduar për EURO 2016.

Me ekipin që keni aktualisht është problem, dhimbje koke për ju, kur ju mungon një lojtar?
Në fillim po, por tani kemi një grup shumë të kompletuar.

Kalojmë te fotot, “Tirana”, cila është përshtypja juaj?
Kam mbetur i surpizuar në fillim, pasi nuk e njihja si qytet. Gjithsesi, mund të them se është një metropol me shumë jetë, ku gjen gjithçka, ku ka bare, restorante dhe hotele të bukura dhe luksoze, që ndoshta nuk i gjen edhe në shumë qytete në Itali. Por, pastaj ka edhe shumë zhurmë, shumë trafik dhe shumë kaotik. 

Nëse do nisesh nga Italia për të ardhur në Tiranë, cila do ishte një arsye?
Pak e vështirë, pasi shumë arsye nuk gjen dot, duke qenë se Tirana nuk është në ato qytete me histori. Nuk ka një shesh të madh, nuk ka një katedrale, apo një vend tjetër që të thërret për ta vizituar. Por, ama ka gjëra të tjera që i rendita më lart, kurioze për t’i parë dhe shijuar.

Ju do preferonit të kishit një shtëpi në Tiranë, pasi të mos ishit më trajner i Kombëtares?
Nëse federata do të ma bënte dhuratë, sigurisht që po (batutë, qesh).

Cilat janë tri gjëra që nuk ju pëlqejnë nga Shqipëria?
Së pari, ka shumë mbeturina, sidomos plastikë të hedhur gjithandej. Së dyti, do doja të evitohej ndotja e shumtë që vjen nga trafiku dhe nga ato makinat e amortizuara së tepërmi. E treta… hhhh, nuk më vjen tani.

Maradona apo Mesi?
I pari ka qenë i jashtëzakonshëm në fushë, por më pak jashtë fushës së lojës. I dyti është një nga më të mirët në botë, por përveç kësaj, ajo që e bën special është përulësia e Mesit. Nuk arrin dot të gjesh në asnjë deklaratë, në asnjë intervistë, por as edhe në fushë dhe jashtë saj një njeri arrogant, kjo nisur nga fakti se sot për sot është më i miri në botë. Megjithatë, është e vështirë të thuash se cili është më i miri mes të dyve, pasi flasim për dy epoka të ndryshme në të cilat ata kanë luajtur.

Por, nëse do ishit të detyruar për të votuar për njërin prej tyre…
Atëherë do thosha Maradona, pasi dua që t’i jap një dorë, ta ndihmoj.

Cili ka qenë lojtari më i mirë që keni stërvitur?
Roberto Baxhio, një lojtar i madh dhe një person po aq i jashtëzakonshëm.

Ç’mendoni për Balotelin?
Është një lojtar i talentuar, por nuk mund të flas shumë për pjesën tjetër karakteriale, pasi nuk e njoh mirë. Mendoj se ai është një djalë i brishtë që, në mënyrën e tij, mundohet të fshehë pikërisht ato dobësi të karakterit të tij, duke bërë edhe gjëra të papëlqyeshme.

Kush është lojtari më i mirë i periudhës së fundit në Itali?
Baxho, është një ndër më të mëdhenjtë, por mua më pëlqente shumë edhe Maldini, apo Barezi.

Cila është arritja juaj më e madhe si trajner?
Kur kam marrë një skuadër (Modena) nga Seria C dhe e çova në Serinë A. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Por kuptohet në çdo skuadër, në çdo vend ku shkon, objektivat janë të ndryshme dhe unë jam munduar që të bëj më të mirën e mundshme.

Ndoshta për ju si trajner Shqipëria në Botëror mund të jetë një objektiv, por a e dini se për ne është një gjë e jashtëzakonshme?
Sigurisht, ndaj edhe e them dhe rithem që duhet të ëndërrojmë dhe të shpresojmë se mund t’ia arrijmë. Për mua nuk përbën diferencë të luaj në fushën time apo në transfertë. E rëndësishme është që të luajmë mirë dhe të mos kemi frikë nga kundërshtari, cilido qoftë ai. Për shembull, kur të shkojmë të luajmë ndaj Sllovenisë, do duhet të dimë përpara edhe sesa qime kanë lojtarët kundërshtarë në këmbët e tyre dhe më pas ta përgatisim në mënyrën perfekte, nëse është e mundur, takimin për ta fituar.

Ç’bëhet me rinovimin tuaj?
T’ju them të drejtën unë prisja pas ndeshjes me Norvegjinë që presidenti (Duka) të më thërriste për një takim, por ajo telefonatë nuk erdhi. Megjithatë, unë e kam thënë edhe më parë që jam i gatshëm që ta shpie përpara këtë projekt dhe po ju fals shumë sinqerisht dhe me zemër në dorë.

Ka pengesa konkrete në rinovimin e kontratës suaj?
Jo, nuk ka të tilla. Unë jam duke pritur takimin me presidentin. Do shikoj se cilat janë pritshmëritë e tij dhe, në bazë të tyre, do vendosim mbi të ardhmen.

Si është raporti juaj me arbitrat?
Shumë i mirë. Mendoj se ashtu sikundër ne edhe ata kanë një profesion të vështirë, por të bukur. Unë mendoj se ne kemi një klasë arbitrash shumë të mirë, pavarësisht gabimeve njerëzore.

Sipas jush, cili është arbitri më i mirë?
Kolina (Pierluixhi Kolina), pa dyshim është i pakrahasueshëm me të tjerët. Edhe kur gabonte, tentonte me të gjitha mënyrat të bindte për atë që kishte bërë.

/panorama/

You must be logged in to post a comment Login