De Biazi kërkon rritje rroge, rinovimi në dyshim

De-Biazi-ShqiperiAsport- Duket se është krijuar një ngërç në këtë moment në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit italian të kombëtares shqiptare. Xhani De Biazi mund të kërkojë 70 deri në 80 mijë euro më shumë rrogë nga kontrata e re që mund të rinovojë me FSHF-në në fund të këtij edicioni. Burime të sigurta pranë teknikut bëjnë me dije se italiani ka fiksuar një shifër lidhur me atë çka do t’i kërkojë presidentit Duka në takimin që do të kenë (kur të vendoset), e cila pritet të shkojë në total te 350-360 mijë euro.

Aktualisht De Biazi paguhet 280 mijë euro nga FSHF-ja, por në këtë shifër futen edhe rrogat e stafit të tij ndihmës (Paolo Tramexani zv.trajner, Anxhelo Pereni zv.trajner dhe Alberto Bele përgatitës atletik). Kjo lloj filozofie e futjes në kontratën e teknikut edhe të pagesës për ndihmësit e tij u mbart që nga koha e Ari Hanit dhe vazhdoi edhe me Kuzhen e De Biazin. Por çfarë rrezikojnë apo përfitojnë palët (federata dhe De Biazi) me nisjen e diskutimeve tani ose në fund të edicionit? Në fakt, gjithçka varet nga vijimësia e skuadrës sonë. Nëse Shqipëria do të arrijë të marrë pikë në tri ndeshjet në transfertë dhe ndaj Zvicrës brenda, madje edhe të kapë “play-off”-in, atëherë kuotat e De Biazit do të rriteshin në maksimum dhe në këtë rast federata dhe presidenti Duka do duhet të mateshin mirë para se të uleshin në tratativa me italianin. Nga ana tjetër, nëse kjo gjë nuk ndodh, pra që Shqipëria dështon në katër takimet e fundit, atëherë gjërat do të shkonin në favor të Dukës. Pikërisht kësaj gjëje i ruhet ndoshta edhe De Biazi, duke parë se në katër takimet e fundit të këtyre kualifikimeve do të kemi të paktën dy ndeshje tejet të vështira: ato të shtatorit në transfertë, ndaj Sllovenisë dhe Islandës. Humbjet në këto dy takime (teorikisht nuk jemi favoritë), do të bënin që skuadra jonë të rikthehej në orgjinë, teksa shkërmoqej në fund të edicionit, dhe presidenti Duka në atë rast do kishte, gjithnjë teorikisht, luksin që jo vetëm të mos pranonte rritje page nga De Biazi, por edhe “të ankohej” para se t’i rinovonte kontratën.

Nuk duhet të harrohet as fakti që trajneri De Biazi sot është shumë popullor në Shqipëri, falë punës së tij të shkëlqer në rinovimin e skuadrës me përfshirjen e elementëve të rinj, dashurisë së fituar nga tifozët dhe mbështetjen e madhe që ka nga grupi kuqezi.  Thuajse të gjithë lojtarët që janë intervistuar kohët e fundit nga mediat shqiptare kanë shprehur haptazi faktin se trajnerit De Biaiz i duhet rinovuar kontrata edhe për edicionin e ri. Duke filluar nga Etrit Berisha, Ujkani, Mavraj, Lila, Basha, Bulku, Valdet Rama e deri te kapiteni Lorik Cana, janë shprehur qartazi pro de Biazit.

“Unë mendoj se De Biazi e di mjaft mirë se çfarë duhet të bëjë te Shqipëria, dhe po bën një punë të mirë. Po bën një punë e cila duket qartë edhe nga rezultatet që kemi arritur. Mendoj se duhet të vazhdojmë punën e nisur me të dhe mbase federata duhet të arrijë një kompromis që ai të rinovojë kontratën”, ka thënë së fundmi Lorik Cana.

You must be logged in to post a comment Login