De Biazi-Duka takim të martën për rinovimin

tojaAsport Të martën, presidenti i FSHF-së, Armando Duka dhe trajneri i ekipit kombëtar, Xhani de Biazi, mund të takohen për të diskutuar rreth kontratës së re të bashkëpunimit. Janë burime konfidenciale në institucionin e futbollit ato që kanë konfirmuar një fakt të tillë. Palët do të ulen në tavolinë dhe do të diskutojnë ofertën që FSHF dhe presidenti Duka i ka bërë italianit. Në fakt, numri një i Federatës, ditën e hënë kthehet nga pushimet dhe menjëherë do të nisë bisedimet me trajnerin për një bashkëpunim dyvjeçar nga janari i 2014-ës.

 

Pra nga e marta me të gjitha gjasat nisin zyrtarisht bisedimet për rinovimin e kontratës. Fakt është se Federata e Futbollit ofron 700 mijë euro për një edicion tjetër në krye të Kombëtares të Xhani De Biazit dhe stafit të tij. Oferta zyrtare e cila i ka shkuar në dorë italianit dhe stafit të tij për rinovimin, plus dhe shpenzimet për një edicion tjetër në krye të Shqipërisë. Janë burime në institucionin e futbollit ato që kanë konfirmuar për “Sport Ekspres” një fakt të tillë muaj më parë. Ndonëse shifrat gjithmonë janë të rezervuara, duket se Federata ka bërë maksimumin për të kënaqur trajnerin që sot është më i vlerësuari në Shqipëri. Gjithsesi, ajo që nuk është thënë deri më sot është fakti se kjo ofertë është në dorën e italianit dhe po studiohet nga De Biazi prej javësh, ku më pas ai do të vendosë. Oferta e Shqipërisë është 700 mijë euro dhe kjo është zyrtare, duke filluar nga janari i 2014-ës deri në dhjetor të 2015-ës. Kontrata e re që i është ofruar Xhani de Biazit, ka kushte favorizuese për italianin. Objektiva, trajneri nuk ka. Qëllimi i FSHF-së është që të vazhdojë bashkëpunimin me italianin edhe sikur ai të renditet i pari, apo i fundit i grupit. Pra, nuk do të ketë asnjë objektiv që mund të pengojë punën e Xhanit për dy vitet e ardhshme.

 

Kjo do të thotë se italiani do të ketë luksin të punojë pa e kthyer kokën pas dhe të bëjë më të mirën e mundshme pa pasur komplekse për renditjen e grupit apo performancën në ndeshjet eliminatore. Si edhe këtë edicion, De Biazi do të ketë dorë të lirë në ekip dhe në përzgjedhjen e lojtarëve. FSHF si gjithmonë do të mbështesë ekipin në çdo hap të tijin. Institucioni i futbollit e pranon të firmosë që sot kontratën që mund të zgjasë bashkëpunimin e Xhani De Biazit edhe për dy vite të tjera. Të shohim se çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim, duke filluar nga e marta që është edhe takimi i parë mes palëve.

You must be logged in to post a comment Login