Betejë në Elbasan, Partizani e Skënderbeu ndahen në barazim pa gola

aSport– Me barazimin 0-0 mes Partizanit dhe Skënderbeut mbyllet java e nëntë dhe faza e parë e kampionatit shqiptar të futbollit. Në “Elbasan Arena” loja në fushën e blertë pa një Partizan superior, sidomos në pjesën e parë të takimit, ku të kuqtë patën dy raste të pastra shënimi me Ekuban dhe Torassa. Korçarët u përgjigjën me një goditje të befasishme të Liridon Latifit, e cila u ndal në çastin e fundit nga Alban Hoxha.

Në pjesën e dytë ndeshja pati një tjetër ritëm. Kampionët u treguan më të kujdesshëm ndërsa nga minuta e 60’ Partizani u detyrua të luajë me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Kalarit: mbrojtësi bëri një ndërhyrje të ashpër në dëm të Latifit. Edhe psë në epërsi numerike, trajneri Agostinelli nuk e shtyu skuadrën e tij në kërkim të avantazhit.

Futboll u pa deri në minutën e 84’, kur Kristi Vangjeli shkaktoi faull ndaj Torassa-s por u dëmtua rëndë në kokë. Në të njëjtën kohë policia nisi dhunën ndaj tifozëve të Partizanit e në tribunën e këtyre të fundit shumë persona u plagosën. U desh dalja në pistën e stadiumit e të dëmtuarve për të marrë ndihmën e parë nga mjekët e dy skuadrave. Gjyqtari Enea Jorgji pezulloi përkohësisht takimin, i cili rinisi pas më shumë se 10 minutash ndërpreje dhe përfundoi vetëm pas minutës së 100’.

Me këtë rezultat Skënderbeu kryesue ruan avantazhin dy pikësh ndaj Partizanit ndjekës. Me atë që u pa sot në fushën e lojës, fatet e këtij kampionati janë vështirësisht të parashikueshëm.

You must be logged in to post a comment Login