Berisha shijon fitoren e parë si titullar tek Atalanta

aSport – Pas dy humbjesh, më në fund Etrit Berisha provon shijen e triumfit si titullar me Atalanta-n, ekip ku u huazua nga Lazio gjatë merkatos së verës.

“Gardiani” i kombëtares shqiptare mbrojti portën e zikaltërve në fitoren 3-1 kundër Crotone-s jashtë fushe në javën e gjashtë të Serie A.

Edhe pse luajtën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Kessie-s në minutën e 62-ë, miqtë nga Bergamo vulosën suksesin qysh në pjesën e parë falë golave të Petagna-s (3’), Kurtic-it (40’) dhe Gomez-it (45+1’).

Kurse Berisha e pësoi golin katër minuta para fundit nga Simmy, i cili u gjend i vetëm dy hapa larg portës duke mos i lënë 27-vjeçarit asnjë mundësi për të reaguar.

I kujdesshëm në rastet që iu shfaqën, Berisha bëri një paraqitje të mirë duke u vlerësuar me notën 6 nga mediat italiane. Megjithatë, portieri kuqezi sërish nuk e ka të sigurt vendin e titullarit tek Atalanta. Këtë e la të kuptohet edhe trajneri Gian Piero Gasperini në konferencën për media pas ndeshjes: “Kemi portierë të dytë mjaft të zotë, është mirë që edhe ata të kenë hapësirat e duhura”.

Në fakt, tekniku italian qysh në fillim të sezonit e ka bërë të qartë hierarkinë e portierëve, duke deklaruar se Marco Sportiello është zgjedhja e tij e parë.

You must be logged in to post a comment Login