Batatina takohet me kreun e FFK-së, tregon pë vendimin e Llapit

Klubi i futbollit Llapi do t’i vazhdojë garat në Superligën e Kosovës në futboll, raporton Zeri.info.

Një vendim i tillë ka ardhur pas një takimi që krerë të klubit nga Podujeva e kishin me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe nënkryetarin Agim Dibrani.

Llapi ditën e djeshme kishte paralajmëruar tërheqjen nga garat pas pretendimeve se është dëmtuar në ndeshjen me Dritën nga gjyqtari Visar Kastrati.

Llapi e humbi këtë takim me rezultat 1:2 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Lajmin për Zeri.info e ka konfirmuar trajneri dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina.

“E kishim një takim me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe nënkryetarin Agim Dibrani. Ata premtuan se do të marrin masa rigoroze ndaj gjyqtarëve dhe premtuan se nëse përsëriten gabimet, do të penalizohen gjyqtarët dhe do të përjashtohen. U tha se nuk do të ketë më skena të tilla ndaj Llapit”, ka thënë Tahir Batatina për Zeri.info duke konfirmuar vazhdimin e garave.

“Në mënyrë që mos të humb mundi shumëvjeçar dhe mos të humbin shpresat e tifozëve dhe qytetarëve të Llapit, kemi vendosur që t’i vazhdojmë garat. Ne nuk kërkojmë favore, por vetëm drejtësi. Cila skuadër është më e mirë le të shpallet kampione”, theksoi Tahir Batatina.

Llapi pas javës së dhjetë në Superligë, ndodhet në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm pesë pikë të grumbulluara.

Edi Reja në alarm: Shqipëria me shumë mungesa në ndeshjet e nëntorit

Sllovenia publikon listen anti-Kosovë, kthehet ylli i ekipit