Bashkëpunëtori i ri i Teutës akuzohet në Itali për mashtrim financiar

aSport– Ditët e fundit është përfolur në media arritja e marrëveshjes mes drejtuesve të Teutës dhe italianit Igor Campedelli për afrimin e këtij të fundit si bashkëpunëtor në klubin durrsak. Ka qenë vetë presidenti Edmond Hasanbelliu që ka konfirmuar se Campedelli falë njohjeve të tij do të ndihmojë Teutën në transferimin e lojtarëve jashtë vendit.

Por kush është Igor Campedelli? I lindur në Cesena 41 vjet më parë, biznesmeni aktiv në fushën e ndërtimit dhe atë të turizmit, u bë president i klubit të vendlindjes në vitin 2007 duke e ndihmuar të ngjitej nga Lega Pro në Serie A. Kur Campedelli ishte në krye të Cesena-s për skuadrën luajtën futbollistë të njohur si Emanuele Giaçherini, Marco Parolo, Davide Santon, Yuto Nagatomo, Adrian Mutu apo edhe shqiptari Erjon Bogdani. Igor Campedelli la drejtimin e klubit romanjol në vitin 2013 dhe shkoi në Portugali ku hyri në organigramën e klubit të Olhanense-s.

Largimi nga Italia nuk qe i qetë për bashkëpunëtorin më të ri të Teutës. Guardia di Finanza (policia financiare italiane) nisi hetimet pas disa veprimeve të dyshimta financiare në bilancin e Cesena-s gjatë kohës që drejtohej nga Campedelli. Rezultatet e hetimeve nxorrën një mashtrim prej rreth 11 milionë eurosh, të marra nga arka e klubit që u përvetësuan më pas nga të akuzuarit (Campedelli dhe njeriu që e pasoi në presidencën e klubit, Giorgio Lugaresi) në llogaritë e tyre personale.

Sipas asaj që informojnë mediat italiane Campedelli akuzohet në Itali për mashtrim financiar, pastrim parash, pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim përvetësim të jashtëligjshëm parash, falsifikim dokumentash. Campedelli-t dhe bashkëpunëtorëve të tij i janë sekuestruar ndërkohë pasuri të patundshme, llogari bankare, tituj financiarë e një sërë të mirash materiale. Informacione më të plota rreth aktivitetit të Igor Campedelli-t dhe problemeve të tij me drejtësinë italiane mund t’i merrni në organet e shtypit në shtetin fqinj si La Gazzetta Dello Sport, il Resto del Carlino, Eurosport Italia.

 

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login