Balaj e Gjimshiti “mposhtin” Ajetin e Sadikun

aSport – Dueli i parë me kundërshtarin tonë direkt në grup, Izraelin, e sheh Shqipërinë nën presionin e fitores. Për këtë arsye duket se trajneri de Biasi do heqë dorë nga provat dhe do rreshtojë në fushë lojtarët më në formë.

Siç është vënë re në seancat e fundit stërvitore, duket se mangësia fizike e Ajetit dhe Sadikut, të dy të dëmtuar kohët e fundit, do i japë avantazh të tjerë lojtarëve për të nisur sfidën si titullarë. Gjimshiti pas paraqitjeve të mira në tre ndeshjet e para dhe Balaj me formën fantastike që po kalon do zënë dy pozicionet e diskutuara.

Mbrojtja do kompletohet nga Hysaj, Mavraj e kapiteni Agolli, ndërsa Kukeli do jetë ai që do lidhë repartin me mesfushën. Deri tani në dyshim janë rolet ofensive, me Llullakun që duket në avantazh ndaj Roshit, ndërsa në krahun e majtë vendimi do merret mes Hykës dhe Memushajt.

You must be logged in to post a comment Login