Austria blindon ‘Happel-Stadion’ për ndeshjen me Shqipërinë

aSport – Rreziku i atentateve terroriste shqetësojnë Austrinë. Për të siguruar mbarvajtjen e miqësores Austri-Shqipëri organizatorët kanë marrë një sërë masash që do të minimizojnë incidente të ndryshme.

Shefi i marrëdhënieve me publikun pranë Federatës Austriake të Futbollit, Wolfgang Gramann, gjatë konferencës për shtyp tha: ‘Ne duam që të parandalojmë ngjarje të pakënaqëshme dhe nuk duam që të dramatizojmë më shumë se ç’duhet situatën’.

Pas tij fjalën e mori edhe Bernhard Neuhold (drejtor i Financave dhe Organizimeve në Federatën Austriake të Futbollit). ‘Ne duam që të gjithë të ndihen të sigurt. Tifozët dhe lojtarët duhet që të përjetojnë një natë të këndshme. Edhe pse të gjithë e dinë fare mirë se nuk mund të sigurojmë në 100% asnjërin prej tyre. Do të mundohemi që t’i afrohemi në maksimum kësaj shifre’, tha Neuhold.

Organet përkatëse për të ulur rrezikun e akteve terroriste kanë vendosur që të mbajnë sekret emrat e VIP-ave që do të akomodohen nesër në tribunën e stadiumit vjenez.

Deri më tani mësohet se interesi për takimin Austri-Shqipëri nuk ka qenë i madh. Janë shitur vetëm 25.000 bileta. 7.000 i kanë shkuar Federatës Shqiptare të Futbollit. Kujtojmë se kapacieti i ‘Happel-Stadion’ është 55.000 vende.

You must be logged in to post a comment Login