Arroganca dhe inatet e de Biasi-t

aSport – Gianni de Biasi do ngelë përgjithmonë në historinë e futbollit shqiptar. I ardhur në një periudhë të errët për kombëtaren, kur brezat po ndryshonin dhe dukej pak shpresë, tekniku italian arriti të ndërtonte një skuadër jo vetëm të fortë, por mjaftueshëm kompetitive për të debutuar edhe në një Europian, ku bëri një paraqitje dinjitoze.

Por një shprehje e urtë thotë se njeriu i madh tregohet në sukses dhe italiani, deri tani, këtë provë nuk e ka kaluar. Që prej Euro 2016, 60-vjeçari ka treguar një arrogancë shumë të lartë si në raport me mediat, ashtu dhe me lojtarët. I ndjerë si hero, edhe prej dekoratave të shumta, tranjeni nuk denjon ti përgjigjet pyetjeve që nuk i pëlqejnë, flet pak dhe thjesht sa për të kaluar rradhën.

Për më tepër, prej kësaj arrogance dhe në raportet me lojtarët, talente mjaft premtues si Rashica apo Avdijaj (i cili bën fajtor direkt pikërisht sjelljen e trajnerit) tashmë nuk do luajnë më me Shqipërinë, ndërsa të tjerë si Kaçe janë jashtë. Nëse do ishte një lidhje me formën fizike, do ishte lehtë e pranueshme. Por grumbullimet e katër ndeshjeve të fundit kanë parë lojtarë pa minuta e gjithashtu pa periudhë të suksesshme, të cilët ne nën zë i quajmë “të preferuarit e de Biasi-t.”

Një situatë kaotike e cila duket edhe në fushë. Prej katër ndeshjesh një skuadër e pamotivuar, lojtarë të konsumuar që grumbullohen pa justifikim e asnjë talent i promovuar. Por nëse do ja shtroje si pyetje trajnerit italian, me shumë mundësi do ngelje pa përgjigje, ose me vetëm një të shkurtër. Ai tani gjendet në Olimp dhe ne të tjerët në Tokë!

You must be logged in to post a comment Login