Analiza e një dite më pas

aSport – Sigurisht vendimet e arbitrit janë të rëndësishme në rrjedhën e një ndeshjeje, sidomos kur përfshijnë dy kartona të kuq dhe dy penallti, por të dyja situatat erdhën nga dy faktorë, që tek skuadra janë parë prej kohësh : mungesa e motivimit dhe mungesa e qetësisë.

Paraqitja e Shqipërisë në pjesën e parë ishte jo vetëm e dobët, por shumë zhgënjyese nga niveli i përkushtimit të lojtarëve. Të njëjtën gjë e kemi parë edhe në tre ndeshjet e para, por nëse kundër Maqedonisë mjaftoi një fitore me fat dhe me Lihtenshtajnin një diferencë klasi, kundër Spanjës dhe Izraelit nuk patëm më fat.

Shqipëria nuk bën presing, jo vetëm tek mbrojtësat kundërshtarë, por as në mesfushë. Një mungesë ritmi që krijon hapësira shumë të mëdha mes reparteve, duke detyruar lojtarët të gabojnë në vendosje. Penalltia e parë është shëmbulli më i mirë. Ekipi i shthurrur, teksa një top përshkruan dhjetra metra duke fluturuar mbi Mavrajn e vendosur gabimisht dhe mbërrin tek kundërshtari. Në fakt Mavraj gaboi thuajse gjithçka dje, gjë që nuk jemi mësuar ta shohim.

Edhe vazhdimi i 45 minutave të para ishte njësoj. Përvec Hysajt e Roshit, që u munduan shumë, të tjerët duket sikur ishin futur pa dëshirë në fushë.

Pushimi duket se ndryshoi diçka, pasi skuadra doli më e motivuar nga dhomat e zhveshjes. Izraeli u tërhoq prapa dhe na la topin, duke shpresuar të na godiste në kundërsulm. Por nuk u desh shumë për të parë faktorin e dytë negativ të parë këto eleminatore, humbjen e qetësisë. Me topin në këmbë skuadra nuk mendon qartë, merr vendime të gabuara dhe gabon pasime të rëndësishme, prandaj edhe rreziku në portën kundërshtare nuk vjen. Si për të mos mbaruar me kaq, vjen dhe humbja e qetësisë pa topin në këmbë. Berisha, pa asnjë llogjikë, në një situatë të cilën gjygjtari na e kishte dhënë në favor, shkon dhe përplaset me lojtarin kundërshtar, një situatë e cila bashkë me një simulim përfundon me kartonin e dytë të kuq dhe penalltinë tjetër për Izraelin. E panevojshme, e papranueshme.

Që në atë moment sfida mbaroi, por mbase kishte mbaruar kohë më parë. Ishte një paraqitje e konfirmuar për herë të katërt, pas paraqitjeve jo bindëse në tre ndeshjet e para. Kualfikimi i ëndërruar tani mbetet përfundimisht një ëndërr, por nëse duam të mbyllim këto eleminatore si forca e tretë e grupit, duhet të ndezim sinjalin e alarmit. Kështu nuk shkon, pasi nuk po na mungon vetëm fitorja, por edhe motivimi që na ka bërë gjithmonë krenar.

You must be logged in to post a comment Login